Skip to content Skip to footer

Rëndësia e Terapisë Konjitive Bihejviorale (Cbt)

Terapia Konjitive Bihejviorale (CBT) është një nga format më të njohura dhe efektive të trajtimit psikoterapeutik, e cila fokusohet në ndërveprimin midis mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve të individit. CBT përdoret për të trajtuar një gamë të gjerë të çrregullimeve mendore, duke përfshirë depresionin, ankthin, çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD), fobitë dhe çrregullimet obsesive-kompulsive (OCD). Ky model është ndërtuar mbi premisën se mendimet tona ndikojnë drejtpërdrejt në ndjenjat dhe sjelljet tona kështu, duke ndryshuar mënyrën se si mendojmë, ne mund të përmirësojmë mënyrën se si ndihemi dhe sillemi.

Parimet Themelore të CBT

CBT bazohet në konceptin se mënyra se si ne i perceptojmë dhe intepretojmë ngjarjet ndikon më shumë sesa ngjarjet në vetvete. Për shembull, një individ mund të përjetojë një situatë stresuese dhe të ketë mendime irracionale të cilat përforcojnë tek ai ndjenjat negative, ndërsa dikush tjetër, për të njëjtën situatë, mund të ketë mendime më të balancuara dhe më pozitive. Terapia konjitive synon të ndihmojë individët të identifikojnë dhe sfidojnë këto mendime irracionale ose jorealiste duke i zëvendësuar ato me mendime më të shëndetshme dhe më të dobishme.

Si Funksionon CBT?

Terapia Konjitive Bihejviorale është një terapi e strukturuar dhe zakonisht përfshin disa hapa kryesorë:

  1. Identifikimi i Mendimeve Irracionale: Fillimisht, klienti dhe terapisti punojnë së bashku për të identifikuar mendimet negative, automatike e të pavetëdijshme, të cilat ndikojnë në emocionet dhe sjelljet e pacientit.
  2. Vlerësimi i Mendimeve: Pas identifikimit të mendimeve të gabuara, pacienti mëson t’i vlerësojë ato në mënyrë kritike. A janë këto mendime të vërteta? A bazohen në fakte apo në interpretime të paqarta?
  3. Zëvendësimi i Mendimeve: Terapisti ndihmon pacientin të krijojë mendime alternative të cilat janë më të balancuara dhe të dobishme. Kjo përfshin trajtimin e ndjenjave të frikës e pasigurisë nëpërmjet mënyrave të reja të të menduarit.
  4. Ndryshimi i Sjelljes: Ndryshimi i mendimeve kontribuon në ndryshimin e sjelljes, dhe në CBT, individët mësojnë teknika për të përmirësuar sjelljet që lidhen me ndjenjat e tyre, duke përmirësuar gjendjen e përgjithshme emocionale.

Përparësitë e Terapisë Konjitive Bihejviorale

CBT është veçanërisht efektive sepse është e bazuar në evidencë dhe fokusohet në rezultate të matshme. Disa nga përparësitë kryesore të kësaj terapie përfshijnë:

Fokusimi në zgjidhjen e problemeve – CBT është një terapi e orientuar drejt qëllimeve dhe ndihmon individët të zgjidhin probleme të caktuara emocionale dhe mendore në një periudhë të shkurtër kohe.
Efikasiteti – Studime të shumta kanë treguar se CBT është efektive në trajtimin e një game të gjerë çrregullimesh, përfshirë depresionin, ankthin, çrregullimet e të ngrënit dhe abuzimin me substanca.
Vetë-menaxhimi – CBT inkurajon individët të marrin kontrollin e mendimeve dhe sjelljeve të tyre. Kjo terapi u mëson atyre aftësi praktike që mund t’i përdorin në situata të ardhshme pa pasur nevojë për mbështetje të vazhdueshme terapeutike.
Trajtim relativisht i shkurtër – CBT është një formë terapie me kohë të kufizuar dhe zakonisht zgjat nga disa javë deri në disa muaj, në varësi të nevojave specifike të individit.

Si Ndihmon CBT në Trajtimin e Ankthit dhe Depresionit?

Ankthi dhe depresioni janë dy nga çrregullimet më të zakonshme në klinikë dhe CBT është metoda kryesore që përdoret për trajtimin e tyre. Në rastin e ankthit, CBT ndihmon individët të përballen me mendimet e tyre ankthndjellëse si dhe të zhvillojnë strategji për menaxhimin e situatave që shkaktojnë frikë apo stres. Ndërsa për depresionin, CBT u mëson individëve të sfidojnë mendimet negative të pavetëdijshme dhe të ndërtojnë një mendim më realist/pozitiv dhe të shëndetshëm për veten dhe botën.

Përfundim

Terapia Konjitive Bihejviorale është një qasje e fuqishme për trajtimin e problemeve të shëndetit mendor sepse fokusohet në ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve që ndikon në mirëqenien tonë emocionale. Ajo ofron një mënyrë të drejtpërdrejtë për të trajtuar një sërë çrregullimesh psikologjike dhe i ndihmon individët të zhvillojnë aftësi të qëndrueshme për të përballuar sfidat emocionale dhe mendore. Përmes CBT, individët kanë mundësinë të rimarrin kontrollin mbi mendimet e tyre dhe të krijojnë një jetë më të balancuar e të lumtur.Marta Bej

Rëndësia e Terapisë Konjitive Bihejviorale (Cbt)

Literatura

  • Beck, A.T. (1979). Cognitive Therapy of Depression. Guilford Press.
  • Burns, D.D. (1980). Feeling Good: The New Mood Therapy. HarperCollins.
  • Clark, D.M., & Beck, A.T. (2010). Cognitive Therapy of Anxiety Disorders: Science and Practice. Guilford Press.
  • Hofmann, S.G., & Smits, J.A.J. (2008). Cognitive Behavioral Therapy for Adult Anxiety Disorders: A Meta-Analysis of Randomized Placebo-Controlled Trials. Journal of Clinical Psychiatry.
  • Ellis, A., & Dryden, W. (1997). The Practice of Rational Emotive Behavior Therapy. Springer Publishing Company.

Klinika

Albania —
Tiranë

Forma e Kontaktit

    Cbt Albania © . All Rights Reserved.

    Our site uses cookies. Learn more about our use of cookies: cookie policy