N europlasticiteti është një ndër konceptet më të fuqishme dhe emocionuese në neuroshkencë, dhe ka potencialin të transformojë jo vetëm mënyrën se si mendojmë për trurin tonë, por edhe për rritjen personale dhe zhvillimin e aftësive të reja.
Nëpërmjet neuroplasticitetit, truri ka aftësinë të ndryshojë dhe të përshtatet, duke krijuar rrjete të reja neuronesh si përgjigje ndaj eksperiencave, mendimeve dhe sjelljeve. Kjo aftësi e trurit për të zhvilluar, përmirësuar dhe ndërtuar lidhje të reja mund të shërbejë si bazë për të riformuluar zakonet dhe për të ndryshuar mendësitë që na pengojnë të arrijmë potencialin tonë të plotë.
Në këtë material do të shqyrtojmë sesi neuroplasticiteti mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen personale dhe si mund ta përdorim këtë aftësi të trurit për të krijuar përvoja të reja pozitive dhe për të ndryshuar modelet mendore që nuk na shërbejnë më.
Neuroplasticiteti i referohet aftësisë së trurit për t’u ndryshuar dhe rindërtuar gjatë gjithë jetës. Dikur besohej se truri ishte një organ fiks, i palëvizshëm, i cili pas një periudhe të caktuar në jetë (zakonisht pas fëmijërisë) humbte aftësinë për t’u përshtatur dhe ndryshuar. Kjo ide tani është rrëzuar nga kërkimet moderne në neuroshkencë, të cilat kanë treguar se truri është një strukturë e jashtëzakonshme dinamike dhe elastike, e cila ndryshon vazhdimisht si rezultat i përvojës dhe sjelljes.
Këto ndryshime ndodhin në përgjigje të përvojës, të të mësuarit, të mjedisit dhe të mendimeve tona. Neuroplasticiteti është mekanizmi që na lejon të mësojmë aftësi të reja, të formojmë shprehi e rutina të reja dhe të ndryshojmë mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë.
Por si ndikojnë rutinat dhe mendësitë në jetën tonë të përditëshme?
Rutina të caktuara e modelet mendore janë të rrënjosura thellë në trurin tonë dhe mund të ndikojnë në mënyrën se si ne organizohemi. Një rutinë është një sjellje e përsëritur që bëhet automatike dhe shpesh kryhet fare pa vetëdije.
Kjo ndodh sepse, me kalimin e kohës, truri krijon rrugë neurale të caktuara që ndihmojnë në përpunimin dhe përforcimin e sjelljeve të përsëritura. Ndërkohë, skemat janë modele mendore e besime që kemi për veten, për të tjerët dhe për botën. Mëndësitë tona mund të jenë fikse apo të ndryshueshme. Ne mund të besojmë se aftësitë dhe inteligjenca janë të përcaktuara dhe të pandryshueshme ose të besojmë se mund të rritemi dhe të përmirësojmë aftësitë tona nëpërmjet përpjekjes dhe procesit të të mësuarit.
Mëndësitë dhe zakonet tona janë të lidhura ngushtë me neuroplasticitetin, sepse ato janë krijuar nga përvojat dhe sjelljet e përsëritura gjatë kohës. Lajmi i mirë është se përmes neuroplasticitetit, kemi mundësinë t’i ndryshojmë këto zakone dhe mendësi.
Si të Përdorim Neuroplasticitetin për të Riformuluar Zakonet dhe Mendësitë?
Nëpërmjet të kuptuarit dhe përdorimit të neuroplasticitetit, ne mund të rimodelojmë trurin tonë për të ndërtuar zakone dhe mendësi që mbështesin rritjen personale dhe arritjen e qëllimeve tona. Më poshtë po sjellim disa hapa që mund të na ndihmojnë për të realizuar këtë.
-
Vetëdija dhe Pranimi
Hapi i parë drejt ndryshimit është të bëhemi të vetëdijshëm për zakonet dhe mendësitë tona ekzistuese. Çfarë sjelljesh apo mendimesh përsëriten rregullisht në jetën tuaj? A janë ato të dobishme apo kufizuese? Njohja e këtyre modeleve është thelbësore për të nisur procesin e ndryshimit.
-
Vendosja e qëllimeve të qarta
Truri ynë është më i prirur për ndryshim kur kemi qëllime specifike dhe të arritshme. Nëse doni të ndryshoni një zakon të keq ose të përvetësoni një mendësi të re, filloni me një qëllim të qartë dhe të arsyeshëm. Qëllimet ndihmojnë në orientimin e neuroplasticitetit, duke e fokusuar trurin në formimin e rrugëve të reja neurale.
-
Përsëritja e sjelljeve të reja
Një nga aspektet kyçe të neuroplasticitetit është përsëritja. Për të krijuar një zakon të ri ose për të ndryshuar një mendësi, është e rëndësishme që të ushtroni sjellje të reja në mënyrë të qëndrueshme. Sa më shumë që një sjellje përsëritet, aq më shumë forcohen lidhjet neurale që e mbështesin atë.
-
Vlerësimi i progresit
Truri motivohet përmes shpërblimeve. Kur ne vlerësojmë dhe festojmë arritjet, sado të vogla të jenë ato, truri jonë merr një sinjal pozitiv që ndihmon në përforcimin e zakoneve të reja. Ky vlerësim mund të vijë nga brenda (ndjenja pozitive e arritjes) apo nga jashtë (një shpërblim konkret për sukseset).
-
Mbështetja Emocionale dhe Psikologjike
Procesi i ndryshimit të zakoneve dhe mendësive mund të jetë sfidues. Stresi dhe emocionet negative mund të pengojnë neuroplasticitetin, ndërsa mbështetja emocionale dhe një mjedis pozitiv e lehtësojnë atë. Puna me një terapist, ose edhe thjesht ndërtimi i një rrjeti mbështetës, mund të na ndihmojë në përshpejtimin e procesit të ndryshimit.
-
Gadishmëria për të përballuar dështimet
Rritja personale nuk është një proces linear. Nëpërmjet neuroplasticitetit, është normale që të përballeni me sfida dhe të bini në zakone të vjetra. Por truri ka aftësinë të rimësojë dhe të riformulojë sjelljet e reja me përpjekje të qëndrueshme dhe këmbëngulje.
Në këto mënyra, ne mund të ndryshojmë mendësitë e vjetra, situatat që nuk na çojnë përpara. Neuroplasticiteti ofron një perspektivë të fuqishme dhe të motivuese për rritjen personale.
Nëpërmjet aftësisë për të ndryshuar rrjetet neurale të trurit tonë përmes sjelljeve dhe mendimeve të reja, ne mund të tejkalojmë kufijtë e mendësive të fiksuara dhe të riformulojmë zakonet e rutinat tona për të përmirësuar cilësinë e jetës.
Në këtë proces, truri ynë bëhet një mjet fuqishëm për zhvillimin dhe përmbushjen e potencialit tonë të plotë.
Marta Bej
Literatura
-
Doidge, Norman. The Brain That Changes Itself: Stories of Personal Triumph from the Frontiers of Brain Science. Penguin Books, 2007.
-
Dweck, Carol S. Mindset: The New Psychology of Success. Random House, 2006.
-
Kandel, Eric R. In Search of Memory: The Emergence of a New Science of Mind. W.W. Norton & Company, 2006.
-
Merzenich, Michael M. Soft-Wired: How the New Science of Brain Plasticity Can Change Your Life. Parnassus Publishing, 2013.
-
Siegel, Daniel J. The Developing Mind: How Relationships and the Brain Interact to Shape Who We Are. Guilford Press, 2012.