Skip to content Skip to footer

Ataket e panikut – si të kuptojmë që vuajmë prej tyre

Ataket e panikut janë episode të papritura dhe intensive të frikës dhe ankthit që shkaktojnë simptoma të ndryshme fizike dhe psikologjike. Individët që përjetojnë atake paniku shpesh ndjejnë një ndjenjë të madhe frike, duke përjetuar simptoma të tilla si rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje dhe ndjenja e humbjes së kontrollit.

Në këtë material do të shqyrtojmë shenjat, simptomat, dhe si ta kuptojmë nëse vuajmë nga çrregullimi i panikut.

Por cilat janë simptomat e Atakeve të Panikut

Simptomat e atakeve të panikut mund të jenë shumë të ndryshme, duke përfshirë si shenjat fizike ashtu edhe ato emocionale.

Disa nga simptomat më të zakonshme janë:

  • Rrahje të shpejta të zemrës (palpitacione)
  • Djersitje
  • Dridhje ose ndjenja e të ftohtit
  • Vështirësi në frymëmarrje ose ndjenja e mbytjes
  • Dhimbje në gjoks
  • Ndjenja e humbjes së kontrollit ose e çmendurisë
  • Ndjenja e shkëputjes nga realiteti (derealizim ose depersonalizim)
  • Frika se mos çmënesh/ del jashtë kontrollit/ frikë nga vdekja
Si mund ta kuptojmë që Vuajmë nga Ataket e Panikut?

Për të kuptuar nëse vuani nga ataket e panikut, duhet të keni parasysh frekuencën dhe intensitetin e këtyre episodeve. Nëse përjetoni simptoma të tilla pa ndonjë shkak të dukshëm ose në situata që nuk janë realisht të rrezikshme, kjo mund të jetë një shenjë se vuani nga ataket e panikut.

Disa faktorë që mund të ndihmojnë për të kuptuar nëse keni këtë çrregullim janë:

  • Episodet janë të papritura dhe të paarsyeshme
  • Përjetoni frikë të madhe gjatë episodit
  • Ndiheni të lodhur pas një ataku paniku
  • Përjetoni ankth të vazhdueshëm nga frika se do të ndodhë një atak tjetër
Cilat janë faktorët që Ndikojnë në Ataket e Panikut

Shkaktarët e atakeve të panikut mund të jenë të ndryshëm për secilin individ, por disa nga faktorët më të zakonshëm përfshijnë stresin e përditshëm ose ngjarjet traumatike; faktorët gjenetikë dhe historia familjare të çrregullimeve të ankthit. Po ashtu, studimet mbështesin si faktorë ndikues ndryshimet kimike në tru, përfshirë çekuilibrat hormonalë dhe konsumimin e substancave të caktuara si kafeina ose droga stimuluese.

Trajtimi dhe Menaxhimi i Atakeve të Panikut

Ataket e panikut janë të trajtueshme dhe menaxhimi i tyre përfshin ndërhyrje të ndryshme. Terapia Kognitive-Biheviorale (CBT) është një nga metodat më efektive për të ndihmuar individët të sfidojnë mendimet negative dhe të mësojnë teknika për menaxhimin e ankthit. Përveç terapisë, mjekimi mund të jetë i nevojshëm në disa raste për të reduktuar simptomat e ankthit.

Teknikat e relaksimit dhe frymëmarrjes janë gjithashtu të dobishme për të menaxhuar simptomat fizike gjatë një ataku paniku.

Marta Bej

Literatura

  • American Psychiatric Association. (2013). Diagnostic and statistical manual of mental disorders (5th ed.). Washington, DC: American Psychiatric Publishing.
  • Barlow, D. H. (2002). Anxiety and Its Disorders: The Nature and Treatment of Anxiety and Panic. Guilford Press.
  • Craske, M. G., & Barlow, D. H. (2008). Mastery of Your Anxiety and Panic: Therapist Guide. Oxford University Press.

Klinika

Albania —
Tiranë

Forma e Kontaktit

    Cbt Albania © . All Rights Reserved.

    Our site uses cookies. Learn more about our use of cookies: cookie policy